Nuk kam atdhe banoj brenda fjalëve, veshur në të zeza, robina. Mustafa Hajat më dëgjon? Në gjuhë ndodhet pushteti, brenda saj sillet vërdallë policia. Nuk duam rrethe letrare të tjerë, Nuk duam seferë të tjerë Në lagjen time flijojnë poetët virgjinë; repistë, antifashistë, mësojnë kalamajtë në një shesh, si të stërvisin fjalët. Të biesh e të ngrihesh: arti i poetit. Jean Genet, më dëgjon? Fjalët e mia janë të pastreha, flenë mbi stolat e Klathmonos, mbuluar me kuti kartoni të IKEA-s. Fjalët e mia nuk flasin në emisionet e lajmeve, janë prostituta rrugësh netëve. Fjalët e mia janë proletare, skllave si unë, punojnë natë e ditë në fasoneri. Nuk dua vajtime të tjera, nuk dua folje të tjera në gjuhën e popullsisë së paarmatosur; dua një gjuhë tjetër, jo kodoshlliqe. Pres të shpikem nga një revolucion; dua gjuhën e luftës së klasave, një gjuhë të këndellur nga rebelimi. Asnjë fjalë - peng nuk do ngelet pas: kërkoj një shteg.
Përktheu: Eleana Zhako